Lamtumirë, Tan Mezini, njeriu i njerëzve!
Lamtumirë, Tan Mezini, njeriu i njerëzve!
Sot përcollëm në banesën e fundit, bashëpunëtorin dhe mikun tonë të dashur, Dritan Mezini. Është e vështirë të shkruash për një person të cilin ke vetëm pak ditë që e ke takuar për herë të fundit, pa menduar se nuk do ta shohësh më mes njerëzish, një njeri që i kishte përkushtuar të gjithë jetën dhe energjinë e vet marrëdhënieve njerëzore.
Tani nuk ishte vetëm një sipërmarrës. Çdokush mund të bëhet sipërmarrës, por jo çdo njeri mund të dijë të ndërtojë dhe menaxhojë marrëdhënie njerëzore në biznes në mënyrën si ai e bënte. Jo rastësisht, edhe projekti i tij më i dashur, ishte portali duapune.com, me logon e një blete punëtore, që e shihje thuajse gjithmonë në një spilë të vendosur në xhaketën e tij apo në çantën e vet të shpinës. Duapune ishte një inovacion i vërtetë për tregun shqiptar për të bashkuar njerëzit në një motiv të përbashkët: punën.
Mirëpo Tani ishte i stilit amerikan, siç shprehej shumëkush që e njihte vërtet: ai e dinte vlerën e vërtetë të potencialit njerëzor: komuniteti. Ndaj në çdo sipërmarrje të tij, komponenti ‘rrjetëzim’ ishte thelbësor për të ndërtuar themele të shëndosha, të qëndrueshme dhe sidomos afatgjata, si modele jo domosdoshmërisht të një suksesi të menjëhershëm ‘brenda natës’, por mbi të gjitha, si mënyrë të të menduari, dhe sigurisht, vepruari.
Tani vepronte, vraponte, jo vetëm fizikisht, siç e dimë të gjithë, por dhe me vizionin e tij. Grupet e ndryshme që formësoi dhe ushqeu përditë për sa kohë ishte gjallë, janë një dëshmi e pamohueshme që atij nuk i pëlqente të punonte pa strategji, pa koncept, pa qëllim, dhe mbi të gjitha, pa njerëz.
Sa shumë prej nesh njihen me njëri-tjetrin falë takimeve që Tani organizoi dhe moderoi? Ballëpërballë, në tryeza debati, konferencash, klubesh, por sigurisht edhe online, sepse fundja fundit, Tani ishte edhe një student informatike: informacioni dhe teknologjie, me një dozë të fortë talenti njerëzor.
Do të na mungojë energjia e tij. Por, sipas ligjit universal të transformimit të energjisë, siç edhe vetë Tani e dinte, energjia nuk shterohet, ajo vetëm ndryshon formë.
Lamtumirë, Tan Mezini!
Endri Qenanaj, Global Entrepreneurship Academy, por njëkohësisht, dhe dikur pjesë e ekipit të duapune.com
copyright: Alket Islami