Blog

Why Are Branding And Design So Important To A Business?

branding_cover-1
Blogu

Why Are Branding And Design So Important To A Business?

Miq të GEAs!

Mendoni për një çast sikur të mos ekzistonte koncepti i dizajnit; jo vetëm ai grafik dhe ilustrues, por edhe në interior dhe eksterior. Vetëm mendojeni për pak çaste. Pamje utopike, apo jo?

Do të ecnit në rrugë në kërkim të lokalit ku keni lënë takim me mikun tuaj, por nuk do të mund të diferenconit mes një morie të tyre: të gjithë identikë. Do të ishte sikur po kërkonit bankën e shkollës në auditor, ku orientoheni me rreshta dhe rradhë. Kur të ishit në market në kërkim të makaronave tuaja të preferuara, do të duhej të lexonit të gjithë emrat me rradhë për të kuptuar se cila kompani është prodhuesja e cilës. Mendoni sikur Facebook, Instagram, apo edhe ky website ku ju jeni duke lexuar këtë artikull mbi dizajnin, të mos ishin të dizenjuar: do të ishit duke pare një pafundësi rreshtash shkrimi të lodhëshëm për sytë e aspak frymëzues. Por për ta bërë akoma edhe më të thjeshtë: Gjithçka në natyre që nuk e kemi shpikur ne është po ashtu dizajn: Mendo një pemë pa degë, pa rrënjë, pa trung…pa identitet. Nuk do të kishim një emër për formën e malit, ndoshta nuk do të kishim as mal.

Por, edhe pa e kaluar bisedën në një nivel kaq filozofik: mungesa e dizajnit ka një peshë shumë here më të madhe edhe në nivele shumë të thjeshta përdorimi: Do të kishim 1 model të vetëm karrikesh, 1 model të vetëm tavolinash, 1 model të vetëm, madje madje, edhe flokësh. E frikshme!

E megjithatë, ndonëse në nënndërgjegjiet tona, markat, logot dhe ngjyrat e tyre ndikojnë në mënyrë shumë inteligjente në vendimmarrjet tona, duket ndonjëherë sikur e neglizhojmë ndërtimin dhe konsolidimin e një identiteti vizual profesional kur vjen puna tek sipërmarrjet tona.

Hapi i pare kur nisim procesin e gjatë të konceptimit të brendit tone, është qasja vizuale e misionit dhe vizionit të kompanisë: Të dyja këto koncepte abstrakte duhet të konkretizohen në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, pasi ndryshe nga arti, qëllimi parësor i dizajnit është të jetë praktik, dhe jo thjesht filozofik. Nëse në një karrike ne nuk ulemi dot rehatshëm, atëherë kemi të bejmë me një instalacion, por jo një dizajn të mirëfilltë.

Por kjo, nuk do të thotë që duhet të neglizhojmë emocionin që zgjedhim të përcjellim nëpërmjet dizajneve tona. Ju kujtojmë fjalët e famshme të Peter Nivio Zarlenga: “Në fabrikën tonë në bëjmë buzëkuqë. Në reklamimin tonë ne shesim shpresë.”

Është po ky emocion, ai që Steve Jobs dëshironte të përcillte me logon e tij të famshme të Apple: Molla kurrsesi nuk mund të lidhet me teknologjinë, e megjithatë, frymëzimi që ai pati nga ky frut dhe përjetimi që dëshironte që konsumatorët e tij të kishin kur të shikonin logon-ikonë, i dha atij vetëbesimin se “PO! Kjo ishte zgjedhja e duhur!” Po të vështrojmë evolimin e logos nga një grafikë bardhezi jashtëzakonisht tradicionale në versionin minimalist që të gjithë shohim sot, arrijmë në një përfundim tej mase të rëndësishëm: Sa më e thjeshtë, aq më e vështirë në krijim, por aq më efikase në brendim dhe mesazhin që dëshirojmë të përcjellim.

Për një ekspert arti dhe dizajni, njohja e mirëfilltë e psikologjisë njerëzore ose konsultimi me profesionistë të kësaj fushe është një hap i hershëm i domosdoshëm kur vjen puna në krijimin e një logoje. Truri i njeriut është më i prirur të lexojë, identifikojë dhe rrjedhimisht të ndikohet nga format, sidomos ato arketipe të cilat e kanë shoqëruar njerëzimin përgjatë të gjithë historisë së tij. Ndaj janë po këto forma, kuptimet e të cilave duhet të përvetësohen mjaftueshëm mirë, ato të cilat do të bëjnë diferencën mes disa zgjedhjeve të mundshme për një logo dhe rrjedhimisht, brendimin e plotë përreth saj.

Sondazhi i dizajnit i vitit 2018 i kryer nga McKinsey & Co anketoi mbi 300 kompani nga industri të ndryshme dhe zbuloi se kompanitë që adoptuan një qasje të orientuar nga dizajni (kishin një indeks të lartë të dizajnit McKinsey (MDI)), ua kaluan shumë të tjerave. Këto janë fushat kryesore të dizajnit të mirë që ndikojnë në MDI:

(1) Udhëheqja analitike: një qasje e drejtuar nga dizajni do të thotë të interesohesh për atë që ata kanë nevojë, në krahasim me atë që ata mund të thonë se duan. E dini cili ka qenë një nga interpretuesit, por dhe zbatuesit më të mire të kësaj filozofie? Henry Ford, i cili dikur u shpreh: “Nëse do të kisha pyetur njerëzit se çfarë ata dëshironin, do të më ishin përgjigjur se donin kuaj më të shpejte.” E ndoshta me të vërtetë, makinat Ford nuk do të ishin shpikur kurrë.

(2) UX – Përvoja e përdoruesit: Përpara se një produkt të bëhet realitet, duhet të mendoni për të krijuar një përvojë të plotë dhe pozitive të përdoruesit; kjo do të thotë të parashikosh mënyrën se si përdoruesit do të ndërveprojnë me markën/produktin tuaj, që nga hera e parë që ata dëgjojnë për të, deri pasi të jenë bërë klientë me pagesë. Një analizë e mirë analitike duke përdorur të dhenat që gjenerojnë platforma të ndryshme si Google Analytics, do t’ju ndihmojë të identifikoni se ku qëndrojnë kleçkat në website-in tuaj, të cilat pengojnë përdoruesin të jetë vizitor më i rregullt, të ndërveprojë më shumë me faqen apo të blejë produkte online nëse platforma juaj mundëson e-commerce.

(3) Talenti ndërfunksional: për startup-et, dizajni duhet të jetë një përpjekje bashkëpunuese; marketerët, shkrimtarët, ekipi e shitjeve, si dhe CEO-t duhet të punojnë të gjithë së bashku për të qenë në gjendje të ofrojnë një zgjidhje efektive për problemet e përdoruesit.

(4) Përsëritje e vazhdueshme: një qasje e drejtuar nga dizajni nënkupton gjithashtu një nevojë të vazhdueshme për përmirësim; edhe lojtarët më të mëdhenj nga industria e teknologjisë përshtaten dhe përmirësojnë vazhdimisht produktet dhe shërbimet e tyre, kështuqë është thelbësore që një startup të përshtatet vazhdimisht sipas nevojave të klientëve.

Ne përpiqemi t’i ilustrojmë modelet ndërkombëtare sidomos në kontekstin shqiptar edhe me studentët e akademisë përgjatë trajnimeve që zhvillojmë.

Por si gjithmonë, ajo që na pëlqen më shumë të degjojmë janë përvojat tuaja.

Deri në artikullin e rradhës, mos harroni të abonoheni falas në newsletterin tonë dhe të riktheheni në web për më shumë informacione nga bota e sipërmarrjes. Tung, Endri.

Leave your thought here

GEA Whatsapp
Select the fields to be shown. Others will be hidden. Drag and drop to rearrange the order.
  • Image
  • SKU
  • Rating
  • Çmimi
  • Stock
  • Availability
  • Shto në shportë
  • Description
  • Content
  • Weight
  • Dimensions
  • Additional information
Click outside to hide the comparison bar
Compare